Rreth nesh

Çfarë është B+CARE?

Ndihma e Parë për Kulturën në Ballkan (B+CARE) është rezultat i partneritetit mes Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB) dhe Qendrës së Zhvillimit Urban – Beograd (UDC). B+CARE është një projekt rajonal që synon:

  1. Të kuptojë rreziqet që i kanosen trashëgimisë në Ballkan dhe formulojë strategji për t’i adresuar këto rreziqe.
  2. Të koordinojë me dhe ndërmjet institucioneve kombëtare të emergjencave dhe institucioneve kulturore strategjitë efektive për ndihmën e parë ndaj emergjencave kulturore.
  3. Të trajnojë dhe shpërndajë një rrjet vullnetarësh që mund të japin ndihmën e parë për trashëgiminë kulturore nëpër Ballkan.

Katalizatori për vënien e këtij projekti në zbatim erdhi perms kurseve frymëzuese të ICCROM-it. Stafi i CHwB-Shqipëri, ndoqi kursin e ICCROM-it për “Menagjimin e Rrezikut ndaj Trashëgimisë Kulturore,” në Universitetin Ritsumeikan, në Japoni, në shtatorin e 2014-s. Po ashtu stafi i CHwB-Albania dhe i UDC ndoqi kursin e ICCROM-it “Ndihma e parë për Trashëgiminë Kulturore në kohë krize” në Amsterdam, në prill të 2015-s. Këto përvoja dhe mbështetja e Fondit ‘Prince Claus’ (mantra e të cilit është “kultura përbën një nevojë themelore”), u mundësuan organizatave CHwB-Albania dhe UDC-Beograd që të krijonin partnership dhe të nisnin projektin B+CARE.

B+CARE-i tani ekziston si një platformë rajonale për trajnimin, rritjen e ndërgjegjësimit dhe reagimin ndaj trashëgimisë kulturore të kërcënuar nga katastrofat. Me trajnimin e parë të vullnetarëve për ndihmën e parë ndaj trashëgimisë kulturore, të kryer në mars të 2016-s, programi i gjerë B+ CARE, sapo ka çelur siparin. Por që tani, një grup i përkushtuar njerëzish si në UDC Beograd edhe në CHwB-Albania, së bashku me grupin e parë të vullnetarëve B+CARE, po e çojnë nismën përpara.


 

Pak histori…

Dëshira për të krijuar diça si rrjeti i vullnetarëve B+CARE, lindi nga diskutimet brenda Trashëgimisë Kulturore pa Kufij- Shqipëri (CHwB), të nisura që prej 2012-s. Përmes Kampeve Rajonale të CHwB-së për Restaurimin (RRC), qindra profesionistë të rinj nga i gjithë Ballkani janë trajnuar në lidhje me principet thelbësore të ruajtjes së trashëgimisë, restaurimit dhe interpretimit. Pas përvojës së tyre me RRC-në, shumë nga ish-pjesëmarrësit donin të qëndronin të përfshirë dhe të bënin më tepër për të mbrojtur trashëgiminë kulturore në komunitetet e tyre. Me një rrjet të tillë njerëzish të përkushtuar, ne kuptuam se një rrjet vullnetarësh i ndihmës së parë kulturore, do të përhapej lehtësisht në gjithë rajonin e Ballkanit.

Partneri serb në këtë projekt, Qendra e Zhvillimit Urban, u formua nga një grup ekspertësh nga disiplina të ndryshme: histori, art, arkeologji, antropologji, ekonomi, arkitekture, inxhinieri ndërtimi, etj. Objektivat kryesore të Qendrës janë promovimi i jetesës urbane dhe promovimi i kulturës dhe artit në zonat urbane. Qendra i kushton rëndësi të veçantë rregullimit të hapesirës publike dhe hapësirave ekspozuese dhe mbrojtjes së njësive urbane, duke përfshirë monumentet kulturore dhe historike që dëshmojnë zhvillimin e qytetit. Përpos këtyre aktiviteteve, Qendra e Zhvillimit Urban synon të promovojë aplikimin e teknologjive të avancuara dhe zgjidhjeve alternative të energjisë si dhe mbrojtjen e mjedisit.


 

Çfarë është ndihma e parë për trashëgiminë kulturore?

Ndihma e parë për trashëgiminë kulturore përfshin një gamë të gjerë përpjekjesh që kanë për synim ruajtjen e trashëgimisë dhe promovimin e përtëritjes së saj, fill pas një katastrofe. Si ndihma e parë për njerëzit, ndihma e parë për trashëgiminë kulturore u jep prioritet veprimeve bazuar në dëmin dhe kontekstin përreth dhe principi kryesor është “mos dëmto”.

Pas një katastrofe, trashëgimia kulturore mund të jetë një forcë e madhe që t’i ndihmojë komunitetet të ripërtërihen. Ruajtja e trashëgimisë vendase i ndihmon njerëzit të kenë një ndjenjë të fortë identitare, një ndjenjë se i përkasin një vendi të caktuar edhe pasi jetët e tyre të jenë kthyer përmbys. Për këtë arsye, komuniteti vendas duhet të jetë gjithmonë në krye të ndihmës së parë për trashëgiminë, jo vetëm duke dhënë udhëzime për ndërhyrjet prioritare, por edhe duke marrrë pjesë në veprim.

Vullnetarët që japin ndihmën e pare për trashëgiminë kulturore, nuk do të jenë asnjëherë aktorët e parë dhe të vetmit që reagojnë pas katastrofave. Ndaj, është thelbësore për ata që japin ndihmën e parë për kulturën që të koordinojnë aktivitetet me shtabet e duhura të emergjencës dhe aktorët humanitarë. Reagimi ndaj një katastrofe duhet të jetë gjithmonë i orientuar për nga njerëzit. Jetët njerëzore vijnë të parat. Por ka gjithmonë hapësirë për të adresuar problemet e trashëgimisë kulturore, gjatë kohës që nevojat e njerëzve marrin përgjigje. Një qasje që përfshin trashëgiminë bashkë me nevojat bazike humanitare, s’bën asgjë më tepër se sa mbron vlerat e komunitetit. Po ashtu mund të mbështesë ndërhyrjen humanitare më aktive.

Reagimi me në qendër jetët njerëzore, gjithashtu do të thotë se duhet të mbajmë ndër mend arsyen përse punojmë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Në fund të ditës, e gjitha bëhet vetëm e vetëm për njerëzit.

B+CARE. Sepse ne kujdesemi.